Gazeta malazeze: Kompania serbe po importon kamionë ushtarakë në Mal të Zi të maskuar si makineri ndërtimi
Kompania “Millennium Team”, për të cilën dyshojnë burime të gazetës “Pobjeda” – gazeta më e vjetër në Mal të Zi – se po importon kamionë ushtarakë të maskuar si makineri ndërtimi në Serbi përmes Portit Bari, njihet si një kompani e afërt me regjimin në Beograd dhe shpesh favorizohet në procedura të shumta tenderash shtetërore. Mediat serbe shkruajnë se pronarët e kësaj kompanie – Ivan Boshnjak dhe Stojan Vujko, janë njerëz besnikë të presidentit të Serbisë Vuçiq, por edhe se janë vetëm pronarë formalë. Ato deklarojnë gjithashtu se Boshnjak dhe Vujko janë të afërt me vëllezërit Sinisha dhe Predrag Mali.
Prej disa javësh në zonën doganore të Portit të Tivarit janë ndalur më shumë se 20 kamionë të importuar nga kompania serbe “Millenium Team”, për të cilët burime të Pobjedës pohojnë se janë automjete ushtarake, gjegjësisht raketambajtëse nga të cilat janë hequr hendekët, ndërsa Drejtoria doganore na informoi se “veturat në fjalë janë deklaruar në organin doganor si makina ndërtimore”.
Burime të Pobjeda-s thonë se automjetet janë lyer me ngjyrë të verdhë nga jashtë, ndërsa pjesa e brendshme ka mbetur në ngjyrë jeshile, e ashtuquajtura ngjyrë SMB që përdoret nga ushtria.
Nga drejtoria doganore kanë konfirmuar për gazetën se automjetet janë të parkuara në portin e Tivarit.
“Lidhur me çështjen që kanë të bëjnë me automjetet e futura në Portin e Tivarit, theksojmë se ato nuk janë lëshuar në qarkullim të lirë dhe as nuk ka qëllim për t’i vënë në qarkullim në Mal të Zi. Automjetet u dërguan me rrugë detare në Portin e Tivarit, për të kryer procedurën e tranzitit përmes Malit të Zi deri në destinacionin përfundimtar”, thuhet në përgjigjet e doganës për gazetën malazeze.
Më tej ata shprehen se “duke qenë se automjetet në fjalë janë raportuar në doganë si makineri ndërtimi, autoriteti doganor ka kërkuar dorëzimin e dokumentacionit shtesë lidhur me llojin e mallit dhe qëllimin përfundimtar të tyre”.
Në ndërkohë, sipas informacioneve të gazetës, automjetet kanë marrë leje për të vazhduar udhëtimin për në Serbi.
Bashkëbiseduesit jozyrtarë të Pobjedës thanë se automjetet janë importuar nga Kina (Shanghai) nga kompania serbe “Millennium Team”.
“Kur ngritët kabina dhe shikoni poshtë – gjithçka është SMB, ngjyrë ushtarake, ngjyrë ulliri. Ata ndoshta do të blejnë raketahedhës veç e veç ose i kanë blerë tashmë”, thonë burimet e kësaj gazete.
Drejtoria doganore nuk është përgjigjur se cila kompani ka importuar automjetet në fjalë dhe nëse është e vërtetë se ato janë automjete ushtarake të importuara nga Kina.
I kemi pyetur edhe pse automjetet janë të ngjyrosura me ngjyrë të verdhë nga jashtë, nëse janë ushtarake dhe nëse janë automjete të dyfishta dhe për çfarë qëllimi janë importuar, por as në ato pyetje nuk janë përgjigjur, raporton Pobjeda.
“Pa asnjë përgjigje në lidhje me kamionët e kontestuar, ata na u larguan nga Porti i Tivarit”.
Ndërkaq, kompania serbe “Millenium Team” u përgjigj se kjo kompani “është në proces të blerjes dhe importit të makinerive ndërtimore dhe kamionëve nga Republika e Kinës për ndërtimin e Expo 2027”.
“Bëhet fjalë për 24 makineri, nga të cilat 20 janë tashmë në Serbi, ndërsa për katër traktorët dhe vinçat e mbetur presim që procedura e rregullt doganore, sipas informacioneve që marrim nga transportuesit tanë, të përfundojë në Portin e Barit në ditët në vijim”, tha kjo kompani 29 mars për gazetën malazeze.
Kjo kompani ka thënë se “pajisja e përmendur nuk është për përdorim ushtarak, por ekskluzivisht për përdorim civil”.
“Burimet tona, megjithatë, janë skeptike dhe nuk janë të sigurta se dërgesa e mbërritur nga Kina në Portin e Tivarit për tregun serb është vërtet civile”, shkruan Pobjeda.
“Autoritetet malazeze duhet të ishin shumë më të kujdesshme, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se Serbia është sërish një kërcënim për stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar vazhdimisht me armatim shtesë”, thonë këto burime.
Disa ditë më parë, presidenti serb – pasi emëroi Millosh Vuçeviqin, president nga Partia Progresive Serbe e Vuçiqit – tha se Serbia është “në një pozicion specifik sepse” ata janë “të vetmit me status neutral ushtarak në këtë pjesë të rajonit”.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të mbrohemi, por nuk kërcënojmë askënd”, tha ai dhe njoftoi blerjen e avionëve të rinj luftarakë, si dhe mjetet e artilerisë, raketahedhës me shumë fuçi.