Gazeta serbe shkruan për vdekjen e mundshme të lëvizjes ‘popullore’ të Vuçiqit

20 qershor 2023 | 12:48

Gazeta serbe “Danas” ka publikuar një shkrim në lidhje me lëvizjen e re politike të Aleksandër Vuçiqit që ai pretendonte të jetë “mbipartiake”.

Vuçiqi e ka paralajmëruar këtë organizatë politike javë më parë, derisa ka paralajmëruar edhe shumë anëtarësime jashtë partisë së tij në të.

Por, sipas “Danas”-it, gjërat nuk po duken mirë për të.

“Megjithëse kanë mbetur më pak se dhjetë ditë deri në Vidovdan (28 qershor), konturat e ‘Lëvizjes për shtetin dhe popullin’, themelimi i të cilës ishte njoftuar nga Aleksandër Vuçiqi për atë ditë, nuk duken ende”, ka shkruar “Danas”-i.

Në këtë shkrim janë treguar edhe gjërat që ende nuk dihen për këtë lëvizje. Sipas “Danas”-it, vetëm Vuçiqi i di detajet, por tash për tash nuk po i ndan me askënd.

Presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresiste Serbe (SNS) kishte thënë në një tubim të fundit se për shkak të krizës do të fillonte formimi i lëvizjes në fjalë deri në kohën e Vidovdanit, në mënyrë që “të kishim një bazë për të ruajtur vendin tonë për dy apo tri vitet tjera të krizës, që janë kruciale për shtetin”.

Por, sipas “Danas”-it madje as partnerët e koalicionit dhe as serbët e Kosovës nuk kanë marrë deri tash ftesë që të bëhen pjesë e këtij projekti politik dhe as që e dinë se për çfarë po flitet specifikisht.

“Duket se ftesa deri tash i ka shkuar vetëm Lëvizjes së Socialistëve të Aleksandër Vulinit…”, ka shkruar “Danas”-i.

Sipas burimeve të kësaj gazete, Vuçiqi nuk është i sigurt nëse gëzon mbështetjen e bashkëpartiakëve të Ivica Daçiqit, që frikësohen se mund të humbin identitetin politik.

Këto pretendime të “Danas”-it, Daçiqi i ka quajtur “pallavra”.

“Çfarë pallavrash! Ju lexoni shumë fantashkencë”, i ka thënë ai gazetës opozitare serbe.

Por, duket se as anëtarët e partisë së Millorad Dodikut nuk janë entuziastë që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje politike.

Ndërkohë, Mirosllav Paroviqi nga Lëvizja e Lirisë së Popullit është cituar t’i ketë thënë këto fjalë: “Lëvizja e re e Vuçiqit vdiq para se të formohej. Data zyrtare e dështimit ishte dita e kundër-protestës së madhe të 26 majit, kur ishte e qartë se kishte të bënte me një tregim të dështuar. Dhe dy njerëzit më të lumtur atë ditë ishin Dodiku dhe Daçiqi, që e shijuan çdo sekondë të rënies së Vuçiqit…”

Më tutje, ai ka thënë se “ëndrra e Vuçiqit ishte të shpallej president i krejt serbëve për Vidovdan, dhe të formonte një rajon autonom në Kosovë në modelin e të ’90-ave në mënyrë që të ketë një president serb aty që do ta mbështeste”.

Vetë Vuçiqi ka paralajmëruar para disa ditësh se për Vidovdan do të kishte lëvizje aktive të serbëve të Kosovës, ndërkohë që gazeta “Blic” në Serbi ka paralajmëruar se Asociacioni mund të shpallej në mënyrë të njëanshme nga serbët e veriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Los Anxhelos Lakers ka nisur nga puna për…