Gazeta sllovene: Berishaj, ‘mushkë financiare’ e Golobit, si i çoi para dikujt që thotë se nuk e njihte?
Mediat në Slloveni po vazhdojnë të shkruajnë për skandalin financiar, në të cilin përfshihet ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Gazeta sllovene, “Demokracija” ka shkruar të enjten se provat se Berishaj ishte “mushka financiare” e kryeministrit slloven, Robert Golob, “nuk fshihen dot”.
Golob ka thënë se nuk e njeh Berishajn dhe mediat sllovene kanë shkruar se kjo “është e pamundur të besohet”.
“Lind pyetja – si mund t’i transferosh kaq shumë para dikujt që nuk e njeh dhe a janë para të taksapaguesve?”, ka shkuar “Demokracija”.
Së fundmi dolën disa dëshmi për tërheqjen e shumave të mëdha të parave që Berishaj e kishte bërë nga kompania e tij, “MB Consulting”. Në periudhën 2019-2020, ai raportohet se ka bërë më shumë se dhjetë tërheqje ‘cash’ të parave me vlerë totale prej pak më shumë se 600 mijë eurosh.
Ky medium ka cituar portalin “Prava”, sipas të cilit dy operacione bankare zhvilloheshin paralelisht midis degës së GEN-i (furnizuesit të energjisë elektrike në Slloveni) në Beograd dhe kompanisë së tij “MB Consulting” e filialit të tij në Mal të Zi.
Aty përmenden transaksionet bankare të “MB Consulting” me degën e GEN-i në Beograd.
Pas transaksionit Berishaj ka tërhequr para nga dega serbe e GEN-i në Beograd. Gjatë kësaj kohe, nga GEN-i në Beograd janë transferuar pak më shumë se 1.5 milion euro në vitet 2015-2022, dhe Berishaj ka shumë të ngjarë të ketë grumbulluar 1 392 245.1 euro me transaksione midis 2021 dhe 2022, raportojnë mediat sllovene.
Disa prej parave, Berishaj raportohet se i ka dorëzuar të gatshme te Golobi.
Martin Berishaj ka realizuar 1 985 408 euro të ardhura vjetore nga viti 2016 deri në vitin 2021 për filialin e MB Consulting në Mal të Zi, siç dëshmohet nga dokumentet e disa mediave.
Siç duket, aktorët e aferës (Golob dhe Berishaj) kanë transferuar (pastruar?) gati 100 milionë euro nga viti 2015 deri në më 2021.
Ndërkombëtarizimi i biznesit GEN-i përmes filialeve u lejoi atyre shumë mënyra për të mbuluar pothuajse gjithçka. Mundësitë e manipulimit në këto çështje janë të mëdha për shkak të rregullimit dhe kontrollit të dobët ligjor në vendet e Ballkanit.
Ekspertët e tregtimit të energjisë elektrike thonë se pjesa më e madhe e transfertave financiare të destinuara për xhepat privatë nuk kryhen fare në GEN-I apo filialet e saj, por nëpërmjet ndërmjetësve të zakonshëm (fiktivë).
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, së fundmi përmes “Facebook”-ut ka bërë disa deklarime pafajësie, duke thënë se s’është pronar i asnjë kompanie dhe se nuk e njeh kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob.