Gazetarët kërkojnë vend të përshtatshëm për ndeshjen Prishtina-Drita
Të dielën zhvillohet njëra ndër ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit të Kosovës në futboll ndër vite, ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, e cila do të përcaktoj kampionin e ardhshëm në Vala Superligë.
Takimi është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë dhe duke pasur parasysh që ky stadium nuk i plotëson fare kushtet për gazetarë, Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës nëpërmjet një njoftimi për medie bënë apel te FC Prishtina si organizatore e ndeshjes që të mendoj për të improvizuar një tribunë në të cilën do të vendosen gazetarët në mënyrë që të kenë sado pak kushte për të kryer detyrën e tyre.
“Interesimi nga mediet për të përcjell ndeshjen Prishtina – Drita është shumë i lartë por meqë stadiumi është në renovim e sipër kërkojmë nga kolegët gazetarë që ti përmbahen kodit profesional dhe të prezantojnë vetëm ata që janë në detyrë”, thuhet në njoftimin e SHGSK-së.
Ndryshe, SHGSK-ja vlerëson që në përgjithësi klubet e futbollit në Superligë kanë bërë shumë pak për të rregulluar infrastrukturën për gazetarë, të cilët janë çdo javë prezent afër tyre për të pasqyruar aktivitetet. Jemi të vetishëm që shumë stadiume i janë nënshtruar procesit të renovimit, por kërkojmë nga njerëzit përgjegjës që të mendojnë me kohë për të krijuar kushtet adekuate për gazetarët sportivë.