Gazetari i ‘AS’: Yamal do të jetë fituesi i çmimit ‘Golden Boy’
Lamine Yamal po shkëlqen në “Euro 2024”. Talenti i Barcelonës po fiton admirimin e të gjithë botës, veçanërisht pas golit të mrekullueshëm kundër Francës, që i dha mundësinë Spanjës të kualifikohej për në finale.
Futbollisti i momentit është në gojën e të gjithëve kohët e fundit; ai vazhdon të marrë lavdërime dhe duket e sigurt se shpërthimi i tij si një yll futbolli sapo ka filluar. Gazetari i “AS”, Joaquin Maroto, është gjithashtu një nga anëtarët e jurisë së çmimit “Golden Boy”. Në programin “Onze” të Esport3, Maroto zbuloi se Lamine Yamal do të jetë fituesi i trofeut të këtij viti: Edhe pse votimet janë të hapura deri më 26 korrik, Maroto tashmë ka zbuluar se Yamal do të jetë fituesi.
Në këtë mënyrë, futbollisti i Barcelonës, që nesër mbush 17 vjeç, do të pasojë Bellinghamin në këtë çmim, të cilin më parë e kanë fituar edhe futbollistë të tjerë të Barcelonës, si Messi, Cesc Fabregas, Pedri dhe Gavi. Lamine tashmë bëri histori në këtë trofe duke u dalluar si lojtari më i ri që është bërë pjesë e podiumit të “Golden Boy”.