Gazetari italian: Gattuso i beson Hysajt
Në fund të sezonit do ta shpallë divorcin përfundimtar me Napolin, por kjo nuk e ka penguar Rino Gattuson ta aktivizojë Elseid Hysajn në fushën e lojës.
Madje, duke dalë edhe kundër presidentit De Laurentis, i cili kërkon që shkodrani së bashku me Maksimoviçit të qëndrojnë në stol për vetë faktin se kontrata e tyre skadon për vetëm disa muaj. Por fjalët e kreut të klubit italian kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi Gattuso duket se ka një besim të palëkundur te mbrojtësi shqiptar.
Gazetari i “RAI”-t, Çiro Venerato, ka folur për “Radio Kiss Kiss Napoli” mbi këtë çështje, duke u shprehur se kreu i bankinës i beson Hysajt, ndërsa shton se ky i fundit e di mjaft mirë sa fjalë pozitive ka marrë nga Gattuso për rikonfirmimin e tij te Napoli.
“Gattuso i beson Hysajt dhe Maksimoviçit sepse ai vetë kërkoi t’i mbante lojtarët dhe t’i zgjaste kontratat e tyre. Ata luajnë sepse e dinë që kanë besimin e trajnerit. Janë shumë afër trajnerit dhe Hysaj e di sa fjalë të bukura shpenzoi Gattuso për rikonfirmimin e tij”, ka thënë Venerato.