Gazetari jomusliman në Holandë që e agjëroi të gjithë muajin e Ramazanit
Gazetari holandez Ard Schouten, ka bërë një veprim për herë të parë në jetën tij duke agjëruar gjatë tërë muajit të Ramazanit edhe pse nuk është musliman, shkruan Anadolu Agency (AA).
Holandezi Schouten, i cili punon si gazetar në gazetën e shquar Algemeen Dagblad Utrecht, agjëroi gjatë muajit të Ramazanit për të ndier gjendjen e njerëzve që agjërojnë dhe për ta përjetuar agjërimin vetë.
Në një prononcim për “AA”, Schouten tha se dëshira për të agjëruar gjatë Ramazanit është paraqitur dy vjet më parë, kur ai, si një gazetar sportiv e ka pyetur në lidhje me agjërimin futbollistin me origjinë marokene Yassin Ayyoub i cili luan për klubin e futbollit Feyenoord.
“E pyeta Yassin Ayyoub-in: Si mund të luash futboll dhe të jesh i suksesshëm kur agjëron? Ai u përgjigj: ‘Duhet ta ndieni vetë për ta kuptuar këtë’. Këtë vit m’u kujtua kjo përgjigje dhe vendosa që ishte koha e duhur për ta përjetuar këtë përvojë. Pas sulmit në Utrecht në mars, mendoj se njerëzit duhet të jenë të bashkuar. Në vend të paragjykimeve, njerëzit duhet të jenë së bashku”, tha Schouten.
Ai vuri në dukje se agjërimi për të është një mundësi e bukur për t’u njohur me një fe tjetër.
“Ata e kuptojnë mirë qëllimin tim pse e bëj këtë. Në fillim, kishte shumë reagime në rrjetet sociale, veçanërisht nga anti-muslimanët. Ata më quajtën tradhtar. Në fillim, kjo gjë më sillej në mendje, por e tejkalova, sepse e dija se cila ishte qëllimi im dhe pse e bëra. Unë mendoj se njerëzit në asnjë mënyrë nuk duhet të paragjykojnë për njëri-tjetrin”, ka thënë Schouten.