Gazetari Nuhi Bytyçi, dëshmitari i 71-të në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së
Gazetari në kohën e luftës, Nuhi Bytyçi, e ka nisur dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Bytyçi është dëshmitari i 71-të në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.
Gazetari Nuhi Bytyçi ka marrë ftesë zyrtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për të dëshmuar në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, të hënën pasdite, më 3 qershor.
“Ashtu si edhe në vitin 2019, kur kam dhënë dëshminë time para Dhomave të Specializuara, për të cilën e kam njoftuar opinionin publik, edhe kësaj radhe kam shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë sime si gazetar gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka bërë të ditur ai.
Bytyçi ka thënë se ndihet krenar me veprimtarinë e tij në shërbim të informimit të mirëfilltë për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit, dhe që është lufta vendimtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
“Dëshmia ime në Hagë, ashtu si çdo herë do të jetë në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së, të cilën unë dhe shumë kolegë të mi gazetarë e kemi prezantuar në mënyrë profesionale në ekranet televizive në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës çlirimtare,” ka thënë ai.