Gazetarja e ‘Epokës së re’ Albulena Mavraj dhe redaktori i ‘Telegrafit’ Butrint Avdyli shpërblehen me çmimin ‘Video-storja më e mirë’
Gazetarja e ‘Epokës së re’ Albulena Mavraj dhe redaktori i ‘Telegrafit’ Butrint Avdyli janë shpërblyer me çmimin e video-storjes më të mirë nga RYCO dhe DW.
Video-storja e realizuar me titullin ‘Hoteli i bashkëjetesës etnike‘, e publikuar në mediumin gjerman Deutsche Welle, ka fituar çmimin e parë në kategorinë e video-storjeve në konkursin ‘Transmetuesit e paqes’, të organizuar nga Regional Youth Cooperation Office (RYCO) në bashkëpunim me DW dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Raportimi në fjalë trajton temën e komunitetit multientik në Kosovë dhe bashkëjetesën e tyre, me pjesëmarrjen e përbashkët në zhvillimin e aktiviteteve biznesore dhe politikat zhvillimore të vendit, respektivisht përfshirjen në qeverisjet ndërkomunale dhe qendrore.
Video-storja është xhiruar në qytezën e vogël të Graçanicës (komunë e banuar me shumicë serbe) në Kosovë, ku si shembull është marrë një nga investimet e huaja në këtë komunë, në të cilën punojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.
Përgjatë storjes në fjalë, të intervistuarit që i përkasin etnive të ndryshme janë shprehur se gjuha e përbashkët dhe toleranca ndër-etnike ka qenë çelësi i një bashkëjetese të suksesshme në këtë komunë.
Me të pranuar çmimin, gazetarët Avdyli dhe Mavraj shprehën falënderimet e tyre ndaj RYCO-s, AGK-së dhe DW-së për vlerësimin, duke mos harruar shtëpitë e tyre mediale ‘Epoka e re’ dhe ‘Telegrafi’.