Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, lirohet në këmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit

01 gusht 2024 | 15:31

Presidenti i Radios Evropa e Lirë tha se gazetarja Alsu Kurmasheva do të lirohet, teksa raportohet për një këmbim masiv të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit.

Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë, ishte dënuar nga një gjykatë ruse në korrik me gjashtë vjet e gjysmë burgim.

“Mirëpresim lajmin për lirimin e menjëhershëm dhe i jemi mirënjohës Qeverisë amerikane dhe të gjithë atyre që punuan pa ndalur për përfundimin e trajtimit të padrejtë të saj nga Rusia”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus.

“Alsuja u shënjestrua sepse është gazetare amerikane, e cila thjesht po tentonte të ndihmonte pjesëtarët e familjes së saj që janë brenda Rusisë. Ajo nuk bëri asgjë gabim dhe sigurisht nuk e meritoi trajtimin e padrejtë dhe ndarjen me forcë nga më të dashurit e saj dhe kolegët”, shtoi ai.

Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera më 1 gusht kanë nisur një këmbim masiv të të burgosurve, në atë që pritet të jetë këmbimi më i madh i këtij lloji që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Bloomberg, Sky News, CNN, dhe media të tjera perëndimore, duke cituar burime, raportuan se këmbimi po ndodh më 1 gusht, pasi nuk dihej vendndodhja e disa të burgosurve politikë të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, duke nxitur spekulime se ata po bëheshin gati për këmbim.

Ende nuk është e qartë se kush nga të burgosurit është përfshirë në këmbim.

Ky lajm vjen pasi nëntë aktivistë rusë dhe një shtetas amerikan janë zhvendosur papritur nga burgjet ruse ditët e fundit, si dhe rusë të tjerë të mbajtur në burgjet e SHBA janë zhdukur nga bazat e të dhënave të burgjeve, duke nxitur spekulimet se një shkëmbim i madh i të burgosurve që përfshin Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera evropiane, mund të jenë në zhvillim e sipër.

https://www.evropaelire.org/a/shkembim-te-burgosurisht-rusi-perendim-/33059346.html

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Promovimi i koordinuar i potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimi…