Gazetarja nga Kosova në Kroaci jep informacione për aksidentin tragjik: Më i rëndi që ka ndodhur në vitet e fundit
Të dielën rreth orës 6:30 të mëngjesit, ka ndodhur një aksident trafiku në Kroaci, ku një autobus me targa të Kosovës është aksidentuar dhe kanë vdekur 10 pasagjerë ndërsa 44 të tjerë kanë pësuar lëndime.
Gazetarja e “RTL Kroacia”, Gentiana Fana, ka thënë se tetë prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Për momentin 44 persona janë të lënduar, tetë prej tyre janë në gjendje të rëndë, në operime e përkujdesje intensive”, ka thënë Fana.
Në mesin e të lënduarve janë edhe 15 fëmijë.
“Diku rreth 15 të mitur ishin pasagjerë në këtë autobus, nga këta 15 të mitur një vajzë po thuhet që është e lënduar rëndë”, ka shtuar Fana për “Klan Kosova”.
Ndërsa 14 udhëtarë që s’kanë pësuar kurrfarë lëndimesh sipas Fanës janë në përkujdesje të Shtabit të Mbrojtjes Civile të Kroacisë.
Sipas saj ky ishte aksidenti më i rëndë që ka ndodhur viteve të fundit në Kroaci.
“Aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Kroaci është aksidenti më i rëndë që ka ndodhur viteve të fundit në Kroaci, edhe vetë policët e personat që kanë dalë në vendin e ngjarjes ishin të shokuar nga ajo që gjetën atje”, është shprehur Fana.