
Gazetarja që raportoi nga Prekazi shpërthen në lot: Gjeta kukulla me gjak e fletoren me vizatime (video)
Donika Shahini- Lami, një nga reporteret e para që ka raportuar gjatë luftës në Kosovë, ka sjellë një rrëfim të veçantë dhe emocional 27 vjet pas rënies së familjes Jashari.
Në një intervistë për emisionin “Ora Shtatë” në “Klan Kosova”, Shahini ka ndarë kujtimet e saj nga ajo periudhë, kur ishte vetëm 18 vjeçe dhe përballë tmerrit të luftës.
“Atë ditë gjej një faturë të rrymës dhe shënonte emri i Shaban Jasharit. Të them të drejtën, nëse njeriu është më i fortë se guri, atë ditë kam qenë gur, i përbërë nga gurë. Para syve të mi shihja gjurmë gjaku, bagëti të ngordhura, një kukull afër fanellës. Në një moment pashë një fletore, duke mos e ditur se po preki një histori të pashlyer, një histori që do të fliste më mirë sesa tregimi im, qoftë edhe për fëmijët e mi”, ka thënë Shahini.
Fletorja, e cila kishte vizatime të margjinaleve të luftës, Fatimes, Marigones, dhe Kushtrimit janë bërë një pjesë e rëndësishme e kujtimeve të saj.
“E mora me vete dhe nuk e hapa, dhe kthehem në Prishtinë. E mbajta fletoren deri në qershor të vitit të kaluar dhe e dhurova në shtëpinë e Reporting House”, ka thënë ajo.
Interivsten e plotë, e gjeni në videon e mëposhtme: