Gazetat në Australi dalin me ballina të zeza
Gazetat më të mëdha të Australisë kanë dalë të hënën me ballina të redaktuara, në shenjë proteste kundër kufizimeve në shtyp.
“Daily Telegraph”, “The Australian”, “Financial Review”, etj. janë shfaqen me shkronja të mbuluara me të zezë dhe me një vulë të kuqe ku shkruan “sekret”.
Protesta është kundër ligjeve të sigurisë kombëtare, për të cilat gazetarët thonë se kanë bllokuar raportimin dhe kanë krijuar një “kulturë të fshehtësisë” në Australi.
Qeveria ka thënë se e mbështet lirinë e shtypit, porse “askush nuk është mbi ligjin”.
Në muajin qershor, bastisjet e policisë në Korporatën Australiane të Transmetimeve dhe në shtëpinë e një gazetari të News Corp Australia kanë shkaktuar reagime të mëdha.
Organizatat mediatike kanë thënë se bastisjet janë kryer për shkak të artikujve që janë mbështetur në të dhëna nga informatorët.
Njëri artikull ka dhënë detaje për pretendimet për krime lufte, ndërsa një tjetër ka raportuar për përpjekjen e dyshuar të një agjencie qeveritare për të spiunuar qytetarët australianë.
Fushata të hënën u mbështet edhe nga disa televizione, radio dhe ueb-faqe lajmesh.