Gazmend Syla i reagon Driton Selmanajt: Pionierët e Titos assesi të bëjnë paqe me UÇK-në
Gazmend Syla, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinajt për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ka reaguar ndaj debatit që u zhvillua të hënën në Kuvendin e Kosovës, ku temë diskutimi ishte dialogu Kosovë-Serbi por që ky debat mori kahje edhe në tema të tjera.
Reagimi i tij ka ardhur ndaj deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, i cili u mor me UÇK-në duke akuzuar Thaçin se dikur UÇK-ja angazhohej edhe për çlirimin e trojeve shqiptare jashtë Kosovës, ndërsa tani po lejohet ndarja e Kosovës.
“Edhe 20 vite pas fillimit të luftës së armatosur, pionierët e Titos assesi të bëjnë paqe me UÇK-në”, ka shkruar Syla në llogarinë e vet në “Facebook”.
Këshilltari i Haradinajt ka thënë se Driton Selmanaj nuk është i vetëm, pasi sipas tij janë dhe shumë të tjerë, që nuk u edukuan me flamurin kombëtar, e që nuk kishin pushkë për armikun shekullor.
Postimi i plotë i tij:
Edhe 20 vite pas fillimit të luftës së armatosur, pionierët e Titos assesi të bëjnë paqe me UÇK-në.
Me zell të madh, sulmojnë vlerën më sublime që krijoi kombi shqiptar, e që ndezi shkëndijat e shpresës edhe tek ata që mbetën ende të okupuar.
Atyre nuk ju interesojnë lotët e nënave të mbi 2000 Dëshmorëve, e mbi 11000 Martirëve, e as pjesët e trupit të Invalidëve, e as sakrifica e Luftëtarëve të lirisë. Atyre u intereson vetëm dështimi i shtetit të Kosovës.
E përderisa ata luajnë lojën që diktohet nga Beogradi e Moska, inferiorë që nuk bën asgjë për vendin e tyre, ne kujtojmë me krenari shokët e rënë, kujtojmë lavdinë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kujtojmë djemtë që nuk njohën kufinj, por pushkët e tyre u dëgjuan edhe në Preshevë, Tetovë e Shkup.
E nuk është vetëm Driton Selmanaj. Janë dhe shumë të tjerë, që nuk u edukuan me flamurin kombëtar, e që nuk kishin pushkë për armikun shekullor.
Përderisa për UÇK-në do të këndohet në breza, emrat e këtyre gogolëve do të harrohen nga historia, apo do mbahen mend vetëm si kundërshtar të Republikës, vetëm pse nuk arritën ta zhvatin, ashtu siç e zhvatën dikur Krahinën, baballarët e tyre.
Rroftë UÇK-ja
#ngushllimeperjugosllavinëdriton