GDP-ja e Ukrainës rritet me 3.5 për qind
Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) i Ukrainës është rritur me 3.5 për qind në janar në krahasim me vitin e kaluar, ka thënë Ministria ukrainase e Ekonomisë.
“Rritja pritet të vazhdojë në tremujorin e parë, e nxitur nga përmirësimi i logjistikës për prodhuesit në gjëra të tilla si rrugët e eksportit dhe shpenzimet shtetërore për rindërtimin e infrastrukturës kritike”, është thënë në deklaratën e kësaj ministrie.
Ekonomia e Ukrainës është shkatërruar nga pushtimi rus më 2022 pasi miliona njerëz janë larguar nga vendi, qytetet dhe infrastruktura janë bombarduar, ku logjistika, zinxhirët e furnizimit dhe eksportet janë ndërprerë.
Në vitin 2022, GDP-ja kishte rënë me rreth një të tretën.
Por bizneset ukrainase kanë filluar të përshtaten teksa lufta i afrohet kufirit dyvjeçar.
Qeveria ka vlerësuar se GDP-ja është rritur me rreth 5 për qind më 2023 dhe Ministria e Ekonomisë pret që ekonomia të rritet me 4.6 për qind këtë vit.