Gecaj: Ja pse PDK-ja doli dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit
Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Gecaj, ka treguar disa arsye se pse kjo parti doli dobët me rezultate nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Siç thotë ai, PDK-ja ka dalë me rezultat më të dobët se sa që është pritur.
“Ne tash jemi në përfundim të këtij procesi dhe mendoj se është fakt që PDK-ja ka dalë me rezultat më të dobët se sa që e ka pritur. Kjo mund të ketë ndodh me siguri nga një shkëputje me votuesin tradicional të saj i cili me siguri ka fjetur ose ka votuar tjetër kënd”.
“Shihet që dy personalitete, dy karaktere thelbësore të PDK-së, Thaçi e Veseli, kanë munguar në zgjedhje. Veselin derisa presidenti ka pasur një mandat tjetër. Mendoj që PDK-ja është parti e cila ka një bazament të fortë është krijuar jo brenda një dite por ka një proces të tanë. 20 vite pas kësaj kohe, partisë i duhet diçka tjetër. PDK-ja është një parti tradicionale, një parti e cila duhet me e përmbledh veten dhe ka mjaft substancë të rigjenerohet”, ka thënë Gecaj për “Klan Kosova”.
Ai ka thënë se votuesi tradicional i PDK-së, ka kërkesa. “Votuesi i PDK-së ka një kërkesë që partia mos të jetë statike por të jetë dinamike, njerëzit të cilët janë tejkonsumuar duhet të zëvendësohen me njerëz të tjerë. Jam thellë i bindur që votuesi i PDK-së ka kërkesë nga kjo parti dhe kërkesa që ajo duhet të dinamizohet dhe të jetë e aftë që problemet që kanë lind ndërkohë të jep përgjigje më shpejt. Dykuptimësia ka bërë dëm të madh në këtë parti”, është shprehur Gecaj.
Ndër të tjerash, Gecaj foli edhe për kandidatin për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, për të cilin tha se ka bërë një punë të mirë.
“Zgjedhja e tij ka qenë kolektive e njëzëshme. S’ka pasur kundërshtime. Ai ka bërë punë të mirë”, ka thënë Gecaj.