Gecaj vizitoi Fushë Kosovën, njoftohet me situatën e pandemisë Covid-19
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bajram Gecaj, i shoqëruar nga zëvendësministrja në detyrë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini, kanë vizituar komunën e Fushë Kosovës, ku janë pritur nga kryetari i kësaj komune, Burim Berisha.
Me këtë rast, zëvendësministri Gecaj u njoftua nga kryetari Berisha për angazhimet që janë duke e bërë komuna e Fushë Kosovës në parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, si dhe për masat që kanë ndërmarrë komuna dhe Qeveria e Kosovës për menaxhimin e situatës me qëllim të parandalim të përhapjes së këtij virusi.
Gjithashtu, në këtë takim u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit të nivelit komunal me atë qendror, me qëllim të bashkërenduar të nevojave për parandalim të kësaj pandemie.
Zëvendësministri Gecaj u zotua se do ta përkrahë në të gjitha mënyrat komunën e Fushë Kosovës, me qëllim të tejkalimit sa më shpejtë të kësaj situate të rënduar.
Me këtë rast, zëvendësministri Gecaj ka vizituar edhe stacionin policor të komunës së Fushë Kosovës, me ç’rast ka falënderuar zyrtarët policorë për punën e palodhshme në shërbim të qytetarëve.
(Q.R / Epoka e re)