Gega siguron finalen e 3 000 metrave me pengesa në botërorin e atletikës
Atletja shqiptare Luiza Gega ka siguruar kualifikimin për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa në botërorin që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë. Edhe pse kampionia shqiptare mbërriti në Hungari e dëmtuar, ajo ka arritur të bëjë një paraqitje të mirë, duke siguruar finalen.
Gega garoi në baterinë e tretë të kësaj disipline, duke u klasifikuar në vendin e tretë me kohën 9’17”71. Në finale shkonin pesë vendet e para të secilës bateri (tri të tilla), ndaj Gega arriti të sigurojë një vend për në finalen e 27 gushtit (ditën e diel).
Atletja kuqezi ishte gjatë gjithë kohës mes më të mirave, duke mos e vënë në diskutim kualifikimin edhe pse jo në formën optimale. Luiza Gega do të ketë kështu tri ditë kohë për të rikuperuar nga lodhja e dëmtimi, për t’u paraqitur në finale në formën më të mirë të mundshme. Gega ka siguruar prej një muaji kualifikimin për n për në Olimpiadën “Paris 2024”, duke arritur normën olimpike në 3000 metra me pengesa.