Genc e Getoar Bujupi edhe zyrtarisht bëhen gjyqtarë të EHF-së
Tashmë është zyrtare. Genc Bujupi dhe Getoar Bujupin, dy gjyqtarët e Federatës së Hendbollit të Kosovës, do t’i shohim duke drejtuar ndeshje evropiane të klubeve dhe ekipeve kombëtare. Çifti i gjyqtarëve Bujupi tashmë edhe zyrtarisht kanë bexhin e EHF-së dhe vetëm pritet fillimi i edicionit të ri garues në Evropë për delegimet e para.
EHF-ja të premten njoftoi zyrtarisht se 13 çifte gjyqtarësh morën bexhin e “EHF Referee”. Kurset e fundit janë mbajtur në Prishtinë dhe në Drammen të Norvegjisë. Genc e Getoar Bujupi kanë qenë në programin e EHF-së, Young Referee Programme, ndërsa në hendbollin kosovar ka shumë vjet që janë prej gjyqtarëve kryesorë.
Ata kanë drejtuar me shumë sukses ndeshje të shumta në Evropianin U20 për hendbollistë që u mbajt muajin e kaluar në Prishtinë. Është ky një tjetër sukses i Federatës së Hendbollit të Kosovës që sërish i ka katër çifte gjyqtarësh me thirrje të EHF-së.