‘General Motors; mbyll 8 fabrika, shkurton mijëra vende pune
Kompania amerikane e makinave “General Motors” planifikon të ndalë prodhimin në pesë fabrika në Amerikën e Veriut dhe të mbyllë mijëra vende pune.
Kompania po ashtu ka në plan mbylljen e tri fabrikave jashtë Amerikës së Veriut deri në fund të vitit 2019.
Planet pasojnë rritjen e shpenzimeve dhe zvogëlimin e shitjes së makinave dhe vijnë në kohën kur “General Motors” po përqendrohet në linjën e vet të kamionëve, makinave elektrike dhe makinave pa vozitës.
Kompania ka bërë me dije se planet do t’i ndihmojnë të kursejë rreth 6 miliardë dollarë.
Ato përfshijnë zvogëlim për 15 për qind të numrit të punëtorëve.
“Veprimet që bëjmë sot vazhdojnë transformimin tonë në kompani më të shkathët dhe më fitimprurëse, duke na e dhënë fleksibilitetin për të investuar në të ardhmen”, ka thënë shefja ekzekutive e “General Motors”, Mary Barra.
“General Motors” ka dhënë sinjale për planet edhe më herët.
Në shkurt, kompania ka thënë se do të mbyllë një fabrikë në Korenë e Jugut.