Gent Cakaj: BE-ja përballet sot me një zgjedhje historik
Sot do të mblidhen në Luksemburg ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Këshilli i Europës ka zbardhur edhe agjendën e takimit, ku procesi i zgjerimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jenë në krye të saj.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter” ka shkruar se vendimi i sotëm do të jetë për Bashkimin Evropian një provë e aftësisë për të adresuar premtimet e tij dhe për të parë drejt së ardhmes.
“Sot, Bashkimi Evropian do të përballet me një zgjedhje historike. Shqipëria ka ndërmarrë një reformë gjyqësore ambicioze dhe të guximshme, duke u shndërruar në një shembull për të gjitha vendet e rajonit”, ka shkruar ministri Cakaj.
Sipas tij, tashmë është koha për hapjen e negociatave, për pranimin e Shqipërisë në BE, pasi një vonesë tjetër mund të ngadalësonte dhe të ndikonte negativisht në progresin e Shqipërisë për reformat e ndërmarra, do të ulte besueshmërinë e BE-së si dhe do të nxiste më tej rrezikun e rivalëve strategjikë në Ballkanin Perëndimor.
“Ky është momenti i Evropës. Vendet e Ballkanit nuk kanë nevojë për një Bashkim Evropian të kufizuar, të shkëputur dhe jovizionar ndaj zgjerimit, por ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian që të jetë i drejtë, i hapur dhe një ditë shprese në këtë periudhë të trazuar”, është shprehur ministri në detyrë Gent Cakaj.