Gent Cakaj dorëzon detyrën e ministrit te Olta Xhaçka
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj i ka dorëzuar detyrën ministres Olta Xhaçka.
“Nga dita e sotme nuk do të jem thjesht një paraardhës politik i Oltës, por mbështetësi më i madh i saj, që ajo ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht e me shkëlqim të plotë, me arritje të rralla e paraqitje të fortë në fushën e politikës së jashtme”, ka thënë Cakaj.
“Për përkushtimin, devotshmërinë e profesionalizmin tënd, e dashur Olta, s’kam as më të voglin dyshim. Prandaj, të uroj nga zemra vetëm punë të mbarë e suksese të panumërta në rrugëtimin tënd si zonjë e hekurt, kryediplomatja e Shqipërisë. Do jem pranë teje sa herë e kërkon puna e në shërbim të Shqipërisë sa herë e kërkon nevoja”.
Cakaj ka theksuar se mbetet tepër krenar e ballëlartë për të gjitha arritjet e këtyre viteve të fundit, duke filluar nga forcimi i faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për punën e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës dhe ngritjen e pashembullt të zërit në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, kryesia e suksesshme të OSBE-së e deri te afrimi historik për marrjen e ulëses jo të përherëshme në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023.
“Puna ime për Shqipërinë, natyrisht, nuk përfundon këtu. Përpjekja ime sot thjesht ndryshoi trajtë. Shqipëria për mua do të mbetet ëndrra që do t’i detyrohem për jetë”, ka pohuar Cakaj.