Gent Cakaj kërkon nga Tunizia ta njohë pavarësinë Kosovës
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zhvilluar një takim me homologun e tij të Tunizisë, Khemaies Jhinaoui në kuadër të pjesëmarrjes në Ministerialin e Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun.
Gjatë këtij takimi, Cakaj ka kërkuar nga kryediplomati tunizian njohjen e Kosovës nga Tunizia.
“Me homologun tunizian nënvizuam rëndësinë e mbajtjes të konsultimeve diplomatike sa më parë dhe përmbylljes të disa marrëveshjeve me ndikim pozitiv në fushën e ekonomisë”.
“Shqipëria si kryesuese e Grupit të Kontaktit të Mesdheut ka si prioritet forcimin e bashkëpunimit mes OSBE-së dhe Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun për të thelluar më tej partneritetin mes këtyre dy platformave. Në këtë kontekst, po ashtu theksuam nevojën e një pjesëmarrje sa më të gjerë e sa më të lartë në Konferencën e Mesdheut që do të mbahet në Tiranë”.
“Në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Republikës të Kosovës, kërkuam njohjen e menjëhershme dhe mbështetjen e saj në organizata ndërkombëtare!”, ka shkruar Cakaj në Facebook në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/