Gent Cakaj shpallet “Qytetar Nderi” i Bujanocit
Kuvendi Komunal në Bujanoc, i përkrahur nga iniciativa e 26 këshilltarëve shqiptarë kanë shpallur “Qytetar Nderi të Bujanocit”, ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Enver Ramadani ka lexuar iniciativën në fjalë, pas së cilës ka pasuar duartrokitje dhe ngritje në këmbë në shenjë respekti për kryediplomatin Gent Cakaj.
“Sot është një ditë e shënjuar për të gjithë qytetarët e Bujanocit. Mbështetja e tij e pashoqe për Komunën e Bujanocit dhe qytetarët e saj në fusha të ndryshme dhe bashkëjetësimin e vlerave proevropiane e bëjnë ‘Qytetar Nderi’ për nderin dhe respektin që i kushtoi një komune të vogël e krejt të harruar nga gjithë ata që kishin obligime institucionale për ta mbështetur. Duke pasur parasysh angazhimin dhe përpjekjet e tij për të përmirësuar situatën ekonomike në komunën tonë, bashkëpunimin e pakushtëzuar në të gjitha fushat e tjera, besoj dhe jam i bindur se ministri Gent Cakaj është i denjë të jetë mbajtës i titullit ‘Qytetar Nderi’ i Komunës së Bujanocit. Duke nderuar personalitetet e profilit të lartë siç është ministri Gent Cakaj ne i ndërlidhim ata më shumë e më fort me qytetin dhe bashkëqytetarët tanë. Prandaj në emër të të gjithë këshilltarëve të nënshkruar në iniciativë, në emrin tim personal dhe në cilësinë e kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit ju ftoj që ta mbështesni dhe përkrahni këtë iniciativë dhe votoni këtë propozim-vendim”, është shprehur Ramadani në fjalën e mbajtur.
Pas këtij vendimi Kuvendi Komunal i Bujanocit, Ministria e Pushtetit Lokal të Serbisë duhet t’i japë dritën jeshile zyrtarizimit të kryediplomatit shqiptar, si qytetar nderi i kësaj komune.