Gentriti ishte 3-vjeçar kur iu rrëmbye babai, Hafir Shala
Mjeku i UÇK-së, Hafir Shala, 25 vjet më parë është zhdukur në rrethana të panjohura dhe nga ajo kohë nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Gentrit Shala, i biri i Hafir Shalës, ka rrëfyer për atë periudhë në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova.
“Sot, ashtu si edhe çdo përvjetor tjetër, kemi pasë vizita edhe nga udhëheqësit lokal në Drenas, duke filluar nga kryetari Lladrovci dhe miq, familjarë e bashkëpunëtorë të babit”, ka thënë ai.
Tutje Shala ka rrëfyer edhe për periudhën kur babai i tij në rrethana të vështira kontribuonte për UÇK-në.
“Ditën kur është arrestuar babi, unë kam qenë vetëm 3 vjeç dhe gjatë asaj periudhe nuk është se e mbaj në mend. Ai, me vite të tëra nuk ka qëndruar në shtëpi, por ka qëndruar në gatishmëri për t’iu qëndruar afër qytetarëve në nevojë, pasi situata ka qenë e tillë që shumë qytetarë nuk kanë arritur që të marrin tretmane mjekësore në qendrat mjekësore në qytete, për shkak të torturave që bëheshin në postblloqen e policisë serbe”.
Shala ka thënë që babain e tij, më shumë e njeh nga rrëfimet e familjarëve e miqve të tij.
“Babain më shumë e njoh nga rrëfimet e familjarëve e miqve të tij. Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam pasardhës i doktor Hafirit, i një humansiti dhe një patrioti të paepur, të palodhur dhe të pandalur”, ka thënë ai.