Genug ist genug

24 mars 2021 | 14:55

Pak ditë nga fjala përfundimtare për mandatin katërvjeçar, qytetarë me të drejtë vote të komunës së Preshevës, kujdes vota juaj është identiteti, morali, ndera dhe respekti, është edukata dhe kultura juaj dhe familjes që ju përfaqësoni!

Nga Baki Rexhepi

A mund të falmi ne, dike që në ditën e parë në mesin tonë tetë vjet më parë erdhi si Tartufi i Molerit, pikërisht si ai! Erdhi i butë, pa jaka të këmishës së gjerë, me pantallona të gjera e gjatë të bartura, me xhepa të thellë e të zbrazët.
Si Tartufi, bamirës me parat tona e të mërgimtarëve, me ekipin e servilëve që synim kishin zhvatjen, etiketimin, shantazhin e montazhin, arritën të manipulojnë ata që më së shumti kanë nevojë për gjërat më elementare, ata që fatkeqësisht edhe pas zotimeve të rrejshme të Tartufit dhe ekipit të tij hipokritë edhe sot janë shumicë në vendin tonë.

Më pas Tartufi, duke marrë me veti çadrambajtësit, servilët, shantazhuesit, keqbërësit dhe miopët, vazhdoi rrugëtimin si Aga, drejt kolltukut të të parit të vendit. Ia arriti, pasi bëri aleancë me dreqin e zi, të cilit ndër shqiptarë etnik i siguroi dy mandate, pas dhjetë vjetëve në Kuvendin 38 ulësesh!
A mund të falim Tartufin i cili posa erdhi në qeveri, deshi të ndërroi Flamurin Kombëtarë Kuq e Zi, të bëjë Preshevën strehë për refugjatë serb që as vendi i tyre i origjinës si duronte nga krimet që i kishin bërë ndër fqinjë. E pikërisht për më të këqijtë ndër ta, Tartufi u pajtua që mu ata të jenë ata menaxher të ardhshëm të institucioneve komunale e republikane.

A falet Tartufi, që rreth vetes mblodhi kodoshët, frikacakët, sahanlëpirësit, përçarësit, nxitësit dhe mynafikët, ata që për të shpëtuar veten tradhtuan UÇK-në, e po atë Tartufi e shpërbleu lartë në pozicion me përgjegjësi publike, morale e juridike. Atë që keqpërdori detyrën zyrtare duke përdorë kamerat e sigurisë për të shantazhuar figurat publike. Atë që të mirat materiale të më se njëzet punëtorëve të mediumit publik për dy vite resht i zhvati, duke i bërë qejfin Agas me pseudo mediumin që pësoi fiasko…

A falet Tartufi? Që kur i nisi hapat e parë i nisi mbrapsht, duke kultivuar mashtrimin, për pak vota, shantazhimin e kërcënimin e qytetarëve të brezit kufitarë për aktivitetet e tyre gjatë valës së refugjatëve të lindjes me dosje që vetëm ai i sajonte e i dinte bashkë me ata që sot e institucionalizojnë termin pezhorativ “Shiptari”,…
A falet Tartufi? I cili kultivoi gjuhën e urrejtjes, standardizoi matrapazllëkun me këshilltarët, nuk kurseu as mirëmbajtësin e spirales së Dëshmorëve, spirale kjo pranë së cilës asnjëherë nuk u përkul për nderime por madje e la edhe pa drita. Nuk u përkul as atëherë kur pran saj erdhi senatori Robert Dol për të kërkuar gjakun e vëllezërve Bytyçi në Serbi, erdhi dhe ndaloi për të nderuar simbolin e rezistencës së kësaj pjese të autoktonisë e Tartufi nuk e pa të udhës që dy sekonda të qëndroj gatitu pran saj!

A falet Tartufi, që për ditë në çdo kohë e në çdo vend shanë e shfrenim, çirret e përdridhet ndaj siç e quan klasën e vjetër politike, mu ata që Tartufit i uruan mirëseardhje madje duke i ofruar edhe partneritet politik!

A falet Tartufi? I cili alfa dhe omega të deklaratave të tij ka urrejtjen para dashurisë, nxitjen para qetësisë, shantazhin para burrërisë, manipulimin para humanizimit, etiketimet para nderimit,…
A falet Tartufi?! Që nuk zgjedh mjete për të arrit te mandati katër vjeçar, duke gënjyer, premtuar, zhvat taksat e qytetarëve sikur t`i kishte para të fituara në kazino…Tartufi i cili nga investimet kapitale mbushi xhepat por tani të pantallonave të rinj, mjafton të përmendet siç e cilëson “krenarinë e tij”, rrugën që pretendon ta quaj “Ismail Qemalji” tani në prag të zgjedhjeve, ndërsa qindra qytetarë, ndër ta shumë mërgimtarë, po të kësaj lagjeje deri tani kanë heq të zitë e ullirit për ndërrimin e dokumenteve personale, për vetëm një shkronjë ndryshe nga emri aktual që për së dyti herë i ndërrohet kësaj rruge. Ku ishte Tartufi dhe klika e tij që nuk i ndërroi këta emra tash e tri vite në pushtet,…emra këta që pas më se shtatëdhjetë vitesh nga Lufta e Dytë Botërore ende ndjellin frikë.

A falet Tartufi?! Që kur vullnetarisht nuk u bashkua me të tjerët, as në listën e përbashkët parlamentare, për të cilën haptas dhe pa u skuqur mashtron, për derisa ndaj tij dy ditë rresht u bë trysni atje ku edhe u vendos formimi i kësaj liste. Kundërshtia e tij pasoi edhe në tendencën për formim të koalicionit me Zukorliqtë, por kjo mbeti vetëm tendencë dhe ëndërr e tij për të zhvat me fonde solidariteti e për të ëndërruar Agan e Ballkanit…
A falet Tartufi?!

Pra, ti votues i ri e votues i vjetër, ti votues i moshës së mesme, nëse një herë të mashtroi Tartufi, të falet ty se nuk e njohe! Për së dyti, edhe për së dyti ty votues sërish të falet se të erdhi keç, heshte besove që ndoshta përmirësohet. Por, tani votues i nderuar, mos lejo që të mashtroj për së treti, sepse tashmë kanë ra perdet e shfaqjes së Molerit, “Tartufi ka emër”, ai është adresa e shmangies së “luftës” sonë politike në raport me shkelësin e të drejtave tona elementare dhe kthimin e “luftës’ mes nesh! Ai është dështimi ynë i dekadës së fundit, dështimi në momentin ndoshta më historik të këtij shekulli, kur u ofrua opsioni i bashkimit me Kosovën, ndërsa Tartufi bënte komedi në konferenca shtypi!
Votues i nderuar, ty të mbetet të përcaktosh një model ndryshe, një model modest, dikë që vërtet është i ri në moshë, apo ka disa vite në skenë, dikë që është nënë, grua dhe model i kontributit modestë në arsim, politik e familje, por që është i pjekur në burrëri, atdhedashuri, dalzotës i atdheut atëherë kur koha e deshi. Dikë që interesin e përgjithshëm e sheh si interesin e vetë dhe që nga ai nuk do të mbetesh në ankth nëse do të shkreton kur fletë e gazon kur të përfaqëson.

Prandaj krejtësisht në fund, në gjuhën që Tartufi më së miri e kupton Herr Tartuf Genug ist genug!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (14) Shkruan: Bedri Islami…