Gërbeshi: Dënim i rëndë, ankohem në shkallën e dytë
Komisioni Disiplinor e ka dënuar Fidan Gërbeshin me tri ndeshje moslojë, por mbrojtësi i Dritës ka thënë për “Epokën e re” se dënimi është i pamerituar dhe se do të ankohet.
Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk është treguar aspak tolerant ndaj lojtarëve që nuk i kanë respektuar rregullat sportive në ndeshjet e xhiros së parë të sezonit pranveror në IPKO Superligë. Një prej katër lojtarëve të dënuar është mbrojtësi i Dritës, Fidan Gërbeshi, i cili nuk ka të drejtë të luaj në tri ndeshjet e radhës me arsyen se në derbin ndaj Gjilanit është ndëshkuar me karton të kuq pas fyerjeve ndaj lojtarëve kundërshtarë.
Gërbeshi për “Epokën e re” ka thënë se nuk e ka merituar një dënim të tillë dhe se kartoni i kuq ishte vetëm për t’i barazuar kartonët për të dyja skuadrat: Dritën dhe Gjilanin. “Lojtari kundërshtar më ka ofenduar, pastaj të njëjtën gjë e kam bërë edhe unë. Gjyqtari më ka ndëshkuar vetëm mua për fyerje, por jo edhe lojtarin kundërshtar. Mendoj se ky karton ka qenë vetëm për ta barazuar numrin e kartonëve për secilën skuadër, sepse Nika ishte ndëshkuar paraprakisht me karton të kuq sepse e goditi me kokë lojtarin tonë”, ka thënë Gërbeshi, i cili është i vendosur të ankohet brenda tetë ditësh në shkallën e dytë për ta zbutur dënimin. “Tri ndeshje janë shumë dhe ky dënim është i pamerituar. Megjithatë, kështu e parasheh Rregullorja e Komisionit Disiplinor të FFK-së. Do të bëj ankesë dhe besoj se do të merret parasysh, sepse tri ndeshje moslojë janë më të vërtetë shumë”, ka thënë Gërbeshi.
Përveç mbrojtësit të Dritës, Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në Federatën e Futbollit të Kosovës ka dënuar edhe lojtarin e Gjilanit, Anis Nika, me katër ndeshje moslojë. Nika në ndeshjen derbi e kishte goditur me kokë një lojtar të Dritës dhe gjyqtari kryesor e kishte përjashtuar me karton të kuq. Një tjetër lojtar i dënuar është edhe Torviol Stullqaku i KEK-ut. Ky i fundit e kishte goditur me bërryl lojtarin e Llapit dhe nuk do ta ketë mundësinë ta ndihmojë skuadrën në dy ndeshjet e radhës. Me dy ndeshje moslojë është dënuar edhe mbrojtësi i Flamurtarit, Bennash Qaunsha. Ky i fundit u përjashtua nga loja me karton të kuq, pasi në ndeshjen ndaj Prishtinës ndërhyri si lojtar i fundit. Ndërsa janë hapur procedura disiplinore ndaj Dritës, Gjilanit dhe Ballkanit.
/Veton ZYMBERI/