Gërbeshi: Pas Prishtinës, radhën e ka Gjilani
Fidan Gërbeshi, pas fitores ndaj Prishtinës, po kërkon edhe një fitore tjetër ndaj Gjilanit, në ndeshjen më të rëndësishme në futbollin e Kosovës. “Të gjithë e dimë se ky është ndër tre apo katër ekipet më të mëdhenj në Ballkan, prandaj edhe dëshira futbollistëve për fitore është e madhe”, ka thënë Fidan Gërbeshi.
Mbrojtësi Fidan Gërbeshi beson se Drita do ta fitojë derbin ndaj Gjilanit i cili llogaritet si derbi më i madh në futbollin e Kosovës. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën në qytetin e Gjilanit nga ora 15:30. Gërbeshi për “Epokën e re” ka thënë se futbollistët e Dritës do ta japin maksimumin për të shënuar fitore, kurse ka ftuar edhe tifozët “Intelektualët” të jenë në numër sa më të madh në stadium. “Të gjithë e dimë se ky është ndër tre apo katër ekipet më të mëdhenj në Ballkan, prandaj dëshira e futbollistëve për fitore është e madhe. Në kemi pasur një ngecje, por pas fitores ndaj Prishtinës dhe me një fitore tjetër do të hyjmë në serinë e rezultateve pozitive. Kërkoj nga ‘Intelektualët’ të jenë në numër sa më të madh për të na përkrahur, kurse maksimumi nga ne nuk do të mungojë”, ka thënë Gërbeshi, i cili me këtë rast ka konfirmuar se mungesa e vetme në formacionin e trajnerit Shpëtim Duro do të jetë ajo e Liridon Lecit për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen e fundit ndaj Prishtinës.
Tri pikët në ndeshjen e xhiros së kaluar e kanë motivuar shumë Dritën për ndeshjet e radhës. “Atmosfera në klub është e mirë pas fitores ndaj Prishtinës, e cila gjithmonë është një kundërshtare e vështirë dhe pretendente për titull. Ato tri pikë na kanë dhënë edhe më shumë motiv për ta kërkuar maksimumin edhe në ndeshjet e radhës”, ka shtuar Gërbeshi.
Ditë më parë nga skuadra kampione është larguar trajneri Bekim Isufi, kurse vendin e tij e ka zënë trajneri nga Shqipëria, Shpëtim Duro. Lidhur me këtë ndryshim në shtabin teknik, Gërbeshi ka deklaruar: “Secili trajner e ka filozofinë e vet dhe nuk ka ndryshuar diçka në klub për faktin se është një periudhë e shkurtër. Të vetmen gjë që do ta përmendi me këtë rast është se vetëm disiplina është më e madhe”. Skuadra e Dritës aktualisht pozicionohet e dhjeta me vetëm gjashtë pikë.
/Veton ZYMBERI/