Gërbeshi: Për hir të kampionatit duam fitore ndaj Prishtinës
Kampionia në fuqi, Drita e Gjilanit, është e vendosur ta ndalë Prishtinën në ndeshjen që zhvillohet sot (e shtunë).
Mbrojtësi i Dritës nga Gjilani, Fidan Gërbeshi, ka paralajmëruar të premten skuadrën e Prishtinës se do t’i duhet shumë të djersitet për ta marrë maksimumin e pikëve në Gjilan.
Ai ka thënë për “Epokën e re” se për hir të kampionatit do të luajnë për fitore ndaj kryeqytetasve, të cilët janë në garë për titull së bashku me Feronikelin dhe Llapin.
“Ne jemi të gatshëm për të gjitha ndeshjet deri në fund të kampionatit dhe në secilën prej tyre do ta japim maksimumin. Për hir të kampionatit do të luftojmë ndaj secilit kundërshtar për fitore, edhe në ndeshjen ndaj Prishtinës. Kemi respekt për kundërshtarin, por synimi ynë është fitorja. Për këtë ndeshje mungesë të vetme e kemi Liridon Lecin”, ka thënë Gërbeshi për “Epokën e re”.
Për ndeshjen që zhvillohet sot (e shtunë) në Gjilan, ka folur edhe mbrojtësi i djathtë i skuadrës së Prishtinës, Armend Thaqi. Ky i fundit e ka vlerësuar këtë ndeshje si ndër më të rëndësishmet për Prishtinën në vitet e fundit.
“Ndeshja më e rëndësishme e sezonit e, ndoshta, edhe ndeshja më e rëndësishme e Prishtinës dhe e ne futbollistëve në vitet e fundit, sepse dihet se çka na pret nëse dalim me tri pikë nga ky udhëtim. Pres angazhim maksimal prej gjith-
secilit bashkëlojtarë që të vazhdojmë drejt synimit tonë, drejt serisë pozitive që kemi. Është shumë mirë që gjithçka varet nga këmbët tona
në katër ndeshjet e mbetura dhe po i përfunduam mirë ashtu siç e kemi synim, nuk kemi çka i shikojmë të tjerët. Do ta japim maksimumin që
t’i arrijmë tri pikët”, ka thënë Thaqi.
Sot zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Drenicës dhe Feronikelit. Katër ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje zhvillohen të dielën, ku dy kryesoret do të jenë në mes të Llapit dhe Trepçës ’89 si dhe Ferizajt dhe Lirisë.
/Veton ZYMBERI/