Gërbeshi rikthehet te Ulpiana
Mbrojtësi Fidan Gërbeshi edhe zyrtarisht është rikthyer te skuadra e Ulpianës. Klubi lipjanas e ka konfirmuar transferimin e Gërbeshit përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. Gërbeshi në edicionin e kaluar mbrojti ngjyrat e Malishevës, derisa më parë ka luajtur te Drita, Feronikeli dhe Arbëria.
“Fidan Gërbeshi rikthehet në shtëpi, për t’i dhënë sigurinë e duhur ekipit bardh e kaltër. Në ambientet e klubit, presidenti i KF Ulpiana, Jeton Gashi ka arritur marrëveshje me qendërmbrojtësin lipjanas Fidan Gërbeshi për stinorin 2022/2023. Gërbeshi për shumë vite ka luajtur në Superligën e Kosovës, si për: Ulpiana, Feronikeli, Drita, Arbëria dhe në sezonin e fundit ka luajtur tek Malisheva”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Ulpianës.
“Pas shumë viteve po rikthehem në klubin tim të qytetit, aty ku edhe e nisa karrierën. Tifozëve lipjanas ju premtoj angazhim maksimal dhe kam bindjen e plot që klubi jonë do ta arrijë objektivin duke arritur rezultate të kënaqshme në stinorin e ri”, ka thënë Gërbeshi.
Presidenti Gashi i dëshiroi suksese në stinorin në vijim Gërbeshi: “Stadiumi ‘Sami Kelmendi’ është shtëpia e vërtetë e secilit sportist dhe sportdashës lipjanas, deri tani kemi kthyer në klub dhjetëra lojtar vendor poashtu bashkë me ta presim të na kthehet edhe mbështetja e plot e publikut”.