Gërbeshi: Do ta mposhtim Santa Coloman
Drita të martën debuton në Ligën e Kampionëve, kurse Fidan Gërbeshi është optimist se do të shënojë fitore. “Ne kemi respekt për klubet që janë pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve. I kemi shitur disa video dhe e kemi analizuar këtë kundërshtar, por jemi optimist se mund të shënojmë fitore”, ka thënë Gërbeshi.
Mbrojtësi Fidan Gërbeshi ka shprehur optimizëm për ndeshjen e parë historike që Drita e zhvillon në kuadër të Ligës së Kampionëve ndaj FC Santa Coloma. Ai ka thënë të dielën për “Epokën e re” se gjilasanit janë përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe do ta prezantojnë futbollin e Kosovës në mënyrën sa më të mirë. “Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje historike për klubin, qytetin dhe Kosovën. Normalisht se kemi emocione, sepse është ndeshja e parë në arenën ndërkombëtare dhe përgjithësia është më e madhe, por besoj se do të bëjmë një paraqitje të mirë dhe prezantim të shkëlqyeshëm”, ka thënë Gërbeshi.
Drita ka zhvilluar edhe seancat e para stërvitore në Gjibraltar dhe futbollistët kanë treguar formë të mirë. Gërbeshi duke folur për skuadrën kundërshtare, ka thënë se e kanë analizuar dhe se është një kundërshtare që mund të mposhtet pa ndonjë problem të madh. “Ne kemi respekt për klubet që janë pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve. I kemi shitur disa video dhe e kemi analizuar këtë kundërshtar, por jemi optimistë se mund të shënojmë fitore”, ka shtuar ai.
Skuadra e drejtuar nga Bekim Isufi do të përballet me FC Santa Coloma të martën nga ora 17:30 në “Victoria Stadium”, Gjibraltar. Përveç kampiones së Kosovës, Dritës, në arenën ndërkombëtare do të paraqitet edhe skuadra fituese e Kupës, Prishtina. Kryeqytetasit do të luajnë në Ligën e Evropës ndaj FC Europa.
/Veton ZYMBERI/