Gërboviç: Sulmi në Banjë është ende një gur i rëndë në qafën e Serbisë
Kreu i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në Serbi (PSG), Pavle Gërboviç, në një postim në platformën “X” të hënën, tha se sulmi i paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, ende është “gur i rëndë në qafën e Serbisë”, derisa kërkoi që përgjegjësi për terrorizmin e vitit të kaluar, Millan Radoiçiç, të vihet para drejtësisë.
“Serbia ka një zgjedhje: Ose do të mbrojë Millan Radoiçiçin ose do të mbrojë interesat e serbëve në Kosovë. Ose do të ‘sakrifikojë’ lirinë dhe pasurinë e fituar ilegalisht të Radoiçiçit ose të ardhmen e 6.5 milionë qytetarëve të Serbisë. Fatkeqësisht, askush nuk ka dyshime se regjimi progresiv do të zgjedhë opsionin më të keq”, shkroi mes tjerash opozitari serb.
Reagimi i Gërboviçit erdhi pas deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili, gjatë një konference për media pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në terrorizmin e vitit të kaluar në veri të Kosovës të sillen para drejtësisë, në mënyrë që të mos përsëritet drama e konfliktit.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe – forca kryesore politike e serbëve të Kosovës – pranoi përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023. Megjithatë, ai dhe të tjerët që janë përgjegjës për terrorizmin e vitit të kaluar në territorin kosovar lëvizin lirshëm dhe nuk janë thirrur ende nga organet e drejtësisë në Serbi të japin përgjegjësi.