“Germania Airlines” së shpejti mund të bëhet kompani rezidente në Kosovë
Avancimi i shërbimeve ajrore në Kosovë është interes i të gjithëve dhe bashkëpunimi me kompanitë serioze është në agjendën e Qeverisë së Kosovës. Kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit që pati me përfaqësuesin e Bordit ekzekutiv “Germania Airlines”, Sieghard Jahn.
Ky i fundit në këtë takim me kryeministrin ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësambasadori i ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jan Axel Voss dhe nga Haldun Kokturk, anëtar i Bordit të drejtorëve dhe kryeshef ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
“Gjermania e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe tani bashkëpunimi ekonomik është tejet i rëndësishëm dhe Qeveria e vendit është e përkushtuar që ta çoj përpara këtë agjendë”, është shprehur Haradinaj.
Pas Parkut Inovativ dhe trajnues në Prizren, operimi në Kosovë i “Germania Airlines” është një tjetër dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për një partneritet të qëndrueshëm me shtetin gjerman.
Përfaqësuesi i kompanisë “Germania Airlines” ka treguar synimet e veta për të zgjeruar operacionet në Kosovë, duke shtuar numrin e fluturimeve në destinacione të reja dhe pretendimin që në një të ardhme të afërt të aplikojë për statusin e kompanisë rezidente.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka ftuar kompanitë e tjera gjermane për të investuar në Kosovë, meqë vendi është i hapur dhe i sigurt për investimet e huaja direkte.
Në këtë drejtim kryeministri ka premtuar përkrahje për iniciativa të shëndosha.
Përfaqësuesi i Bordit ekzekutiv “Germania Airlines”, Sieghard Jahn, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje dhe për mbështetje e dhënë për bashkëpunimin ekonomik mes dyja vendeve.
/Epoka e re/