“Germin” dorëzon ankesë te Avokati i Popullit për procesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit
Organizata “Germin” ka mbledhur ankesat e qytetarëve të diasporës të cilët pretendojnë se iu janë shkelur të drejtat e tyre në procesin e votimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Nga Avokati i Popullit ata po presin sqarime rreth vendimeve që kishte marrë KQZ e PZAP në këtë proces duke mos përjashtuar mundësinë që t’i drejtohen pastaj edhe Gjykatës Kushtetuese.
Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”, pas dorëzimit të ankesës ka thënë se në vendimet e KQZ-së dhe PZAP-së lidhur me procesin zgjedhor të 14 shkurtit ka pasur shkelje të cilat cenojnë të drejtën e votës për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
“Presim të paktë një opinion sa i përket disa çështjeve duke filluar nga ai i KQZ-së për telefonimin e votuesve jashtë vendit, e deri të vendimet e PZAP-së pastaj edhe vendimet për të mos pranuar pako me fletëvotime të cilat kanë ardhur pas afatit, po ashtu edhe çështjen e vonesave në ardhjen e zarfeve, kemi edhe çështje të tjera siç është vonesa ose pamundësia e ankesave për të gjithë ata votues që nuk janë gjendur në listën e votuesve nga jashtë, edhe pse kanë plotësuar të gjithë kriteret juridike”, ka thënë ai.
“Germin” në bashkëpunim me zyrën e avokatëve “Hodaj&Partners” kishin nisur në fushatë për të mbledhur ankesat e të gjithë qytetarëve të cilët pretendojnë se u është mohuar e drejta e votës.
Ata presin që institucioni i Avokatit të Popullit të konstatojë që ka pasur vështirësi për qytetarët e diasporës në procesin e votimit.