Gërqina e Hasit mbetet pa ujë të pijshëm, ankohen banorët (foto)
Fshatrat e thella të Hasit të Gjakovës ka ditë që po kanë vështirësi me furnizim me ujë të pijshëm.
Ndër fshatrat më të goditura është ai i Gërqinës, i cili edhe pse ka burimin e ujit mbi fshat dhe që ka rrjedhje me rënie të lirë, banorëve të këtij fshati u lëshohet uji vetëm në një kohë të caktuar, por shumicën e kohës janë pa ujë të pijshëm, shkruan “Epoka e re”.
Banorët e këtij fshati dhe të fshatrave përreth kanë bërë ankesë në komunën e Gjakovës dhe në Hidrosistemin “Radoniqi”, por ankesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.
Ujësjellësi në fshatin e Gërqinës është bërë me investimin e komunitetit dhe me ndihmën e komunës së Gjakovës në legjislaturën e kaluar.
Po ashtu, fshati i Gërqinës ka probleme me rrugicat nëpër lagje të ndryshme, disa prej tyre janë asfaltuar me preferenca politike ndërsa disa rrugica që nuk janë votues të pushtetit kanë mbetur të paasfaltuara.
“Edhe pse jemi në shekullin XXI dhe kur njerizimi po shkon në Hënë, këtu në Kosovë, veçanërisht në Gjakovë ende kemi telashe me ujësjellës dhe rrugica”, është shprehur njëri nga banorët e këtij fshati, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri.