Gerrard: Kloppi meriton statujë në Liverpool
Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard ka kërkuar nga ish-klubi i tij të fillojë punimet për ndërtimin e një statuje për trajnerin Jurgen Klopp, para se klubi të shpallet kampion i Anglisë.
Liverpooli do të konfirmohet si kampioni i ri i Premierligës nëse arrin t’i marrë të paktën gjashtë pikë nga nëntë ndeshjeve të mbetura deri në fund të sezonit 2019/20.
“Hajde shkojmë drejt e në temë në këtë intervistë, unë mendoj se Jurgen Kloppi është trajneri më i mirë në botë. Unë e di se ka edhe trajnerë shumë më të suksesshëm”, ka thënë Gerrard.
“Pep Guardiola është i jashtëzakonshëm. Edhe Carlo Ancelotti është i jashtëzakonshëm dhe mendoj se Evertoni ka me të vërtetë fat që e ka një trajner si ai. Mund t’i emëroj edhe shumë të tjerë. Por, të vish në Liverpool dhe ta bësh atë që e ka bërë Kloppi… t’i arrish aq shumë finale, ta fitosh titullin e gjashtë evropian dhe pastaj ta fitosh ligën për herë të parë që 30 vjet..”, ka deklaruar Gerrard
“Për mua, dikush si Jurgen duhet të shpërblehet menjëherë. Më duket se në futboll presim kur dikush të vjetrohet për t’ia njohur me të vërtetë arritjet. Por, unë e di se pronarët e Liverpoolit s’do ta lejojnë këtë. Kur Jurgen ta fitojë ligën, ata duhet ta kenë nisur punën për ndërtimin e statujës së tij”.