Gerrard, trajner i Rangersit
Ish-futbollisti i Liverpool dhe Anglisë, Steven Gerrard, ka rënë dakord për t’u bërë trajneri i Rangers në Skoci, duke firmosur një kontratë katër vjeçare.
Gerrard, i cili u tërhoq nga futbolli dy vjet më parë, ka punuar si trajner i Liverpool U-18, ndërsa tani do të marrë vendin e Graeme Murty. Detyra e tij do të jetë ta rikthejë te suksesi klubin që ka fituar 54 herë kampionatin në Skoci, por që po vuan shumë që nga viti 2012 kur u rithemelua nga kategoritë inferiore.
Ai do të jetë kundërshtar me ish-trajnerin e tij te Liverpool, Brenda Rodgers, i cili është trajneri i Celtic me të cilin ka fituar tre herë radhazi titullin dhe Kupën. Sipas “Sky Sports”, Gerrard do të ketë një fond prej 100 milionë eurosh për rindërtimin e ekipit gjatë afatit kalimtar të verës.