Gerta Hoti – 14 vjeçarja që shpërtheu në arenën ndërkombëtare
Të rralla janë rastet kur një vajzë shqiptare në më pak se tri vite e gjysmë lojë të basketbollit të ketë shpërthyer kaq shpejtë në arenën ndërkombëtare. E ajo është pikërisht basketbollistja e re dhe premtuese Gerta Hoti, e cila ka vetëm 14 vjeç dhe sukseset e së cilës s’kanë të ndalur. Pas sukseseve të njëpasnjëshme përmes Klubit të Basketbollit “Prishtina e Re” dhe “KBF Prishtina”, Gerta me talentin e saj u kishte rënë në sy si klubeve vendore ashtu edhe atyre ndërkombëtare. Pas disa ofertave që pati nga vende të ndryshme të Evropës, Gerta përfundimisht zgjodhi Ligën e Basketbollit të Francës, më saktësisht elitën e basketbollit francez që aktualisht kryesohet nga shkolla e basketbollit respektivisht klubi i basketbollit nga qyteti Lille i Francës. Kështu që Gerta nga java që vjen fillon zejen e basketbollit në Francë. Por, pavarësisht se ku, Gerta me krenari do të vazhdojë të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sukseset e gjertanishme të Gertës: kampione e Kosovës për grupmoshat U16 (sezonin 2022/2023) dhe për grupmoshat U18 (sezonin 2023/2024); kampione e Ligës Unike Kosovë-Shqipëri (sezoni 2023/2024); fituese e kupës së Kosovës me grupmoshat U16 dhe U18 (sezoni 2023/2024); nënkampione e Kosovës në Superligë (sezoni 2023/2024); është shpallur Lojtare e Ndeshjes (MVP) si fituese e kupës së Kosovës për grupmoshat U16 (sezoni 2023/2024); është shpallur ndër 10 sportistet më të dalluara të Komunës së Prishtinës për vitin 2022; dhe me përfaqësuesen e Kosovës është bërë Kampione e Evropës për grupmoshat U18 në korrik 2024 ku ishte ndër më të dalluarat. Gerta ka marrë pjesë edhe nëpër shumë organizime e turne të ndryshme brenda dhe jashtë vendit si në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Bullgari, Zvicër, Turqi, Francë, etj.
Kontribut të jashtëzakonshëm për suksesin e gjertanishëm të Gertës kanë dhënë: veterani i basketbollit kosovar, Ibrahim Karabeg, pastaj Lorik Kllokoqi dhe Albert Sylejmani. Urojmë që Gerta të arrijë suksese edhe më të mëdha dhe të na bëjë krenarë me arritjet e saj.