Gërvalla dhe Klakoçar riafirmuan përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin Kosovë-Slloveni
Zgjerimi i bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, mbështetja e Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siguria në rajon dhe bashkëpunimi në iniciativa rajonale që për qëllim kanë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ishin temat në fokus të takimit në mes të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe kryetares së Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla e ka falënderuar kryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq për mbështetjen që deputetët slloven i kanë dhënë Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përkatësisht mbështetjen në arritjen e 82 për qind të votës pro anëtarësimit nga Asambleja Parlamentare e KiE.
Ministrja Gërvalla në takim me kryeparlamentaren sllovene, ka paraqitur të arriturat e Republikës së Kosovës në shumë fusha dhe mundësitë e mëdha të investimeve në vendin tonë, duke theksuar potencialin e madh të të rinjve.
Më tutje, ministrja Gërvalla dhe kryetarja Zupançiq riafirmuan përkushtimin e tyre për të thelluar më tej bashkëpunimin bilateral dhe për të eksploruar mundësi të reja që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e të dy vendeve.