Gërvalla e pranon se shtetet e BE-së po i diskutojnë masat për Kosovën
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, në një konferencë për medie është pyetur lidhur me masat ndëshkuese të BE-së dhe nëse Kosova ka marrë ndonjë shkresë zyrtare lidhur me këto masa.
Gërvalla ka thënë se deri tani s’kanë marrë asnjë letër, por ka theksuar se ka informacione që në mes të shteteve anëtare të BE-së ka diskutime.
Ajo ka thënë se në momentin që do të kenë një shkresë zyrtare, do të njoftojnë publikun.
“Sa i përket masave ndëshkuese të BE-së, s’kemi marrë asnjë letër – asnjë dokument. E di që ka shumë gjëra për të cilat diskutohet. Ka diskutim mes partnerëve se cila është rruga e duhur, dhe kur do të duhej të merreshin masa, dhe se si do të mund të dukeshin ato masa, apo nëse nuk do të duhej… Nuk ka një qëndrim të të gjithë partnerëve se si do të duhej të trajtohej Kosova në këtë fazë”, ka thënë Gërvalla.