Gërvalla flet nga Izraeli: Lidhja e palestinezëve me Serbinë është e pakuptimtë

10 maj 2022 | 13:05

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka folur rreth marrëdhënieve Kosovë-Palestinë teksa është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Izrael.

Kryediplomatja Gërvalla ka thënë se Kosova ka një qëndrim miqësor karshi tyre dhe se vetë ka provuar ta thyejë akullin në krijimin e marrëdhënieve miqësore, por se ata kanë qëndrim miqësor me Serbinë.

“Nuk kemi marrëdhënie dhe nuk kemi marrëveshje me Palestinën. Unë kam pasur një takim me ministrin e tyre të Jashtëm në kuadër të një konference multilaterale dhe në kuadër të këtij takimi jam përpjekur që të thyej pak akullin duke vënë në pah qëndrimin e Kosovës ndaj Palestinës”.

“Qëndrimi ynë është shumë miqësor dhe një qëndrim përkrahës dhe këtë qëndrim qytetarët e Kosovës e kanë shprehur shpesh dhe për të cilin Palestina është e ndërgjegjshme. Por, në të njëjtën kohë kam vënë në pah vështirësitë që kemi me përfaqësuesit dhe ambasadorin palestinez në Beograd, të cilët nganjëherë nuk zgjedhin mjetet dhe nuk zgjedhin gjuhën në raport me Kosovën dhe duke lëvizur drejt marrëdhënieve më të mira me Palestinën, besoj që duhet të ekzistojë interesimi i dyanshëm për të ndryshuar këtë gjendje”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se lidhja e palestinezëve me Serbinë është e pakuptimtë.

“Ka një lidhje të hershme, për mua të pakuptueshme mes Palestinës dhe Serbisë e cila rrjedh nga mekanizmat e të paintegruarve dhe si e tillë është krijuar e ka mbetur që nga koha e Titos dhe kjo lloj nostalgjie dhe marrëdhëniet e mira kur vet Serbia e ka shkatërruar ish-Jugosllavinë për mua është e pakuptimtë”, është shprehur Gërvalla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ORCA ka pesë vite që është duke e monitoruar punën…