Gërvalla gazetës austriake: Policia Speciale tërhiqet kur ekstremistët nuk e kërcënojnë ligjin
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë dje në një intervistë për gazetën “Der Standard”, se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mund të largohet nga veriu, atëherë kur siç tha ajo “ekstremistët e dhunshëm nuk kërcënojnë më sundimin e ligjit dhe kryebashkiakun”.
“Ashtu si në Vjenë, Graz apo Linz, policia tërhiqet kur ekstremistët e dhunshëm nuk kërcënojnë më sundimin e ligjit dhe kryebashkiakun. Asnjë shtet kushtetues nuk duhet të tolerojë dhunën dhe vakumet ligjore”, tha ajo.
Ajo u deklarua edhe rreth paralajmërimeve të Bashkimit Evropian që në rast se forcat speciale nuk largohen nga veriu mund të ketë pasoja për Kosovën.
“Ky është një gabim i rëndë strategjik. Kërcënimet kundër një demokracie kushtetuese aleate që mbron ligjin në fuqi dhe përfaqësuesit e zgjedhur kundër kriminelëve të dhunshëm që përdorin granata dore kundër ushtarëve të KFOR-it janë një sinjal fatal. Kjo fton për përshkallëzim – dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përshkallëzohet edhe më tej: forcat speciale serbe kanë pushtuar vendin tonë dhe kanë rrëmbyer tre policë. Ky agresion i hapur është një alarm i kuq: kështu i nisi luftërat e tij ish-presidenti serb, Slobodan Millosheviç në vitin 1991. Prej kohësh kemi paralajmëruar se do të ketë vdekje nëse Vuçiq nuk ndalet. Ai do të lërë gjurmë përtej rajonit. Sepse vë në pikëpyetje parimet dhe besueshmërinë e Perëndimit globalisht, siç dëgjojmë nga pjesë të tjera të botës”, deklaroi ajo në këtë intervistë.