Gërvalla habitet nga pyetja e gazetarit për çështjen e asociacionit
Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, nuk i pëlqejnë pyetjet për Asociacionin, të cilën ajo më herët e ka shpallur të vdekur.
Në një intervistë për “DW”, ajo është habitur kur është pyetur nëse Kosova e ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Gërvalla ka bërë me dije se drafti i ri i Bashkimit Evropian është ndryshe nga ata paraprak.
“Nuk e di për cilin asociacion e keni fjalën. Ka një asociacion të vitit 2013. Është bërë një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilën Gjykata e vitit 2015 e ka shpallur si shkelje të më shumë se 22 neneve. Ne kemi një propozim të ri, një dokument të ri të Bashkimit Evropian, në vija të trasha ka një qasje krejt tjetër nga në të kaluarit. Por, këto janë të gjitha gjërat që ne do t’i bisedojmë gjatë një procesi intensiv me Bashkimin Evropian dhe e gjitha kjo varet se a do të jetë ky propozim, ai i cili do të sjellë normalizimin përfundimtar me Serbinë apo jo. Nëse çfarë do lloj dokumenti shërben vetëm për Kosovën dhe nuk shërben për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë atëherë ne jemi shumë skeptik se sa i përshtatshëm është ai për t’u diskutuar”, ka thënë Gërvalla.