Gërvalla i çon notë verbale Këshillit të Evropës për regjistrimin e tokës së manastirit të Deçanit
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar të mërkurën në mbledhjen e qeverisë se i ka kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar pronën manastirit të Deçanit.
Për këtë çështje ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës, siç ka njoftuar kryeministri Kurti.
“Për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kurse ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, zonja Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës. Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme i Komitetit atje, ka mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e KiE dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës që vendos për anëtarësimin tonë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.