Gërvalla i reagon konsullit Lirim Krasniqi pasi tha se e shkarkoi në mënyrë antiligjore
Konsulli i Republikës së Kosovës New York, Lulzim Krasniqi, të mërkurën ka bërë të ditur se është shkarkuar nga ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Përmes një letre, Krasniqi ka thënë se vendimi i Gërvallës për shkarkim nga Shërbimi i Jashtëm, bazohet në urrejtje dhe në paranoja, duke thënë se gjatë vizitës në zyrën e tij i kishte thënë që ta hiqte nga zyra flamurin e UÇK-së.
Ndaj Krasniqit ka reaguar ministrja Gërvalla.
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se është premtuar premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës.
E sipas saj, asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit”, tha ajo.
Po ashtu Gërvalla ka folur edhe për punësimet e tjera në MPJD të cilat i ka quajtur të jashtëligjshme.
“Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale”, tha Gërvalla.
Tutje tha se nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë.
“Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit”, tha Gërvalla.