Gërvalla ia kujton tërthorazi homologut grek mosnjohjen e Kosovës nga Greqia

04 qershor 2021 | 12:11

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në konferencën e përbashkët me homologun grek, Nikos Dendias, ia ka kujtuar këtij të fundit tërthorazi se Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Gërvalla ka thënë se do të vazhdojnë dialogun edhe rreth çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës me Greqinë dhe partnerët e BE-së.

“Njohjen dhe respektimin e pavarësisë së vendit tonë nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian përfshirë edhe Greqinë e konsiderojmë si një kontribut thelbësor për stabilitetin në Ballkan. Pavarësia e Kosovës është fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë që të pranohet një fakt i tillë aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin. Por, duke pasur parasysh faktin se Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndvështrim tjetër ne riafirmojmë se me Greqinë dhe me partnerët tjerë të BE-së do të vazhdojmë intensivisht dialogun edhe rreth kësaj çështje”, ka thënë Gërvalla.

Ndërsa kryediplomati i Greqisë, Nikos Dendias nuk e ka përmendur fare faktin se shteti nga vjen nuk e njeh Kosovën, duke thënë vetëm se e përkrahin liberalizimin e vizave.

“Ne besojmë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne jemi po ashtu pro liberalizimit të vizave për juve sepse ju keni përmbushur kriteret. Ne jemi këtu që t’ju ndihmojmë edhe në fushën e sundimit të ligjit.  Është e qartë se ne mbështesim fuqishëm vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që në mes të palëve të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, ka thënë Dendiasi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Shpresoj që Italia të triumfojë, sepse është si atdheu im…