Gërvalla: Kam nënshkruar vendimin që ndalon punësimin e familjarëve në MPJD, pati kunata e baxhanakë të punësuar
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka bërë me dije se ka nënshkruar vendimin që ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve e diplomatëve në këtë institucion.
Gërvalla ka thënë se ka pasur të punësuar, motra, vëllezër, gra, burra, kunata e baxhanakë të ministrave e zyrtarëve të tjerë.
“Është i gjatë rreshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatave, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve. Nuk është i vogël as numri i anëtarëve të ngushtë të familjes të zyrtarëve të MPJD/së. Deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion. Familjarë të ngushtë janë dërguar të shërbejnë në të njëjtin mision diplomatik”.
“Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim. Por ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë. Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.