Gërvalla: Kërcënimet për bllokim në pikat kufitare, dëshmi e veprimeve destabilizuese të Serbisë
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka treguar se me homologun e saj turk, Hakan Fidan, ka folur për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ajo ka thënë se në kohën kur ka kërcënime të Serbisë ndaj Kosovës, roli i Turqisë dhe NATO-s është i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin.
“Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin e saj me NATO-n dhe forcimin e pranisë së saj në vendin tonë si garanci e mbrojtjes dhe paqes në rajon. Ne shohim Serbinë si një rrezik për stabilitetin rajonal, kërcënimet për bllokimet sot të pikave kufitare janë vetëm dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste por edhe veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë të cilat shkojnë përtej kërcënimeve verbale. Sovraniteti i Kosovës nuk është i diskutueshëm, jemi të vendosur që bashkë me aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë Turqinë të vazhdojmë të ruajmë dhe forcojmë paqen në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë Gërvalla.