Gërvalla: Lajçaku e ka fjalën për tërheqje të pjesshme të Serbisë nga letra e Bërnabiqit, kjo është e papranueshme
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion për ndonjë hap të ri të Serbisë në lidhje me tërheqjen nga letra e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, që ia pati dërguar BE-së.
Gërvalla ka thënë se beson që emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, fjalën e ka për një tërheqje të pjesshme të letrës së Bërnabiqit.
“Nuk kam ndonjë informacion për ndonjë hap të ri të Serbisë në lidhje me çfarëdo lloj dokumenti. Besoj që Lajçaku, fjalën e ka për një tërheqje të pjesshme të letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial e Kosovës, që për ne është qasje e papranueshme”.
“Përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë është që sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më tepër që ata janë të çliruar nga ndikimi i bandave kriminale në veri, tentojnë t’i kthehen jetës normale dhe të bëhen pjesë e shoqërisë, aq më shumë largohet Serbia nga ai normalizimi i ashtuquajtur dhe i synuar në Bruksel”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se ka nevojë për rishikimin e procesit të dialogut.