Gërvalla mbron Berishajn: Fushatë e paparë kundër një personaliteti me integritet
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është përplasur verbalisht me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, për çështjen e ambasadorit Martin Berishaj.
Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, Kadrijaj ka akuzuar Gërvallën se po vazhdojnë ta mbajmë atë në detyrë.
“Ju e mbani një ambasador të korruptuar që është Martin Berishaj që është turp i Kosovës dhe i kësaj qeverie”, ka thënë deputetja Kadrijaj derisa ministrja Gërvalla po raportonte.
Në përgjigje, Gërvalla ka thënë se po bëhet një fushatë kundër “personalitetit me integritet të Martin Berishaj”.
“Sa i përket ambasadorit Berishaj, ju që më së shumti bërtisni, e dini shumë mirë çfarë padrejtësie ndaj ambasadorit Berishaj është edhe sa shumë gënjeni kur pretendoni që nuk e dini…absolutisht nuk thonë mediat rajonale. Është një medium i cili merret me këtë çështje dhe ai përtypet dhe ripërtypet këtu. Unë jam shumë kureshtare t’ju shoh në fund nëse do të skuqeni ose jo që keni zhvilluar fushata të papara kundër një personaliteti me një integritet të tillë. A duhet ai me qenë a jo ai moralisht aty, atë për fat të mirë e vendos dikush tjetër dhe jo ju. Asnjë prej akuzave që ia bëni atij nuk qëndron. Shumë mirë e dini”, ka thënë Gërvalla.